Departamente mjekesore

Lista e shërbimeve që ofrohen në spital


Poliklinika

Poliklinika e Specialiteteve ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës, Rruga “Vilson” nr. 20. Ajo është rikonstruktuar plotësisht gjatë periudhës së fundit si pjesë e një investimi të rëndësishëm në infrastrukturën shëndetësore, i financuar nga buxheti i shtetit. Ky projekt përfshiu jo vetëm rinovimin total të godinës, por edhe zgjërimin e hapësirave dhe pajisjen me teknologji të re diagnostikuese, duke transformuar poliklinikën në një qendër moderne të kujdesit ambulant për qytetarët. Investimi ka mundësuar zgjerimin e shërbimeve nga 14 në 22 specialitete të ndryshme, si dhe pajisjen me aparatura bashkëkohore diagnostikuese si mamografia dhe pajisje DEXA për vlerësimin e densitetit të kockave. Poliklinika e Specialiteteve ofron kujdes profesional ambulator për qytetarët e Shkodrës dhe zonave përreth, duke përmirësuar aksesin në shërbime mjekësore të specializuara dhe duke ndihmuar rreth 200,000 banorë në zonë.
Kabinetet e specialiteteve që ofrojnë shërbim janë:
Neurologjia, Nefrologjia, Alergologjia, Gastro-Hepatologjia, Endokrinologjia, Reumatologjia, Hematologjia, ORL, OKL, Dermatologjia, Kardiologjia, Onkologjia, Pneumoftiziatria, Gjinekologjia, Infektivi, Pediatria, Ortopedia, Kirurgjia dhe Neurokirurgjia.

Shërbimi i Urgjences

Shërbimi i Urgjencës ofron asistencë mjekësore të menjëhershme, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për trajtimin e rasteve akute dhe emergjente. Shërbimi funksionon me kapacitete të plota dhe siguron vlerësim të shpejtë të pacientit, stabilizim klinik dhe trajtim efektiv për të gjitha rastet që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Shërbimi i Urgjencës përballet me një fluks të lartë pacientësh, me rreth 250,000 vizita në vit, çka dëshmon rëndësinë e tij dhe ngarkesën e vazhdueshme në ofrimin e kujdesit shëndetësor urgjent.
Shërbimi ofrohet në dy nivele:
• Urgjenca e Brendshme, e organizuar në ambientet e Spitalit Rajonal Shkodër;
• Urgjenca Territoriale, e ofruar në ambientet e Poliklinikës së Specialiteteve.

Shërbimi i Kirurgjisë dhe Ortopedi Traumatologjisë

Shërbimi i Kirurgjisë dhe Ortopedi-Traumatologjisë në Spitalin Rajonal Shkodër ofron ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara dhe urgjente, duke mbuluar një gamë të gjerë patologjish kirurgjikale dhe traumatologjike. Ky shërbim luan një rol të rëndësishëm në reduktimin e transferimeve drejt qendrave spitalore të Tiranës, duke garantuar trajtim cilësor pranë vendbanimit të pacientëve. Shërbimi përfshin specialitete si kirurgjia e përgjithshme, urologjia, angiokirurgjia, onkokirurgjia, si dhe trajtimin e traumave ortopedike. Falë investimeve të qeverisë, sallat operatore janë rikonstruktuar dhe pajisur me teknologji bashkëkohore dhe kushte moderne, duke rritur ndjeshëm kapacitetet ndërhyrëse dhe sigurinë e pacientit. Së fundmi, në këtë shërbim po realizohen edhe ndërhyrje delikate neurokirurgjikale, duke ofruar shërbime të avancuara shëndetësore për qytetarët e Shkodrës dhe rajonit përreth.

Shërbimi i Imazherisë

Shërbimi i Imazherisë ofron një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese moderne, duke përfshirë radiografi digjitale, ekografi digjitale, CT (skaner), MRI, mamografi digjitale, DEXA, si dhe procedura endoskopike diagnostikuese si fibrogastroskopia, fibrokolonoskopia dhe histeroskopia. Gjithashtu realizohen ekzaminime të specializuara si radiografia e toraksit dhe metoda të tjera imazherike bashkëkohore.
Pajisjet me teknologji të avancuar dhe interpretimi profesional i rezultateve nga stafi i specializuar garantojnë diagnozë të saktë, monitorim efektiv dhe ndjekje të vazhdueshme të pacientëve, të cilët vijnë nga i gjithë rajoni i veriut të vendit.

Shërbimi i Obstetrikë – Gjinekologji – Neonat

Shërbimi i Obstetrikë – Gjinekologjisë – Neonatologjisë ofron kujdes të integruar dhe të specializuar për shëndetin e gruas dhe të porsalindurit, nga ndjekja e shtatzënisë dhe asistenca gjatë lindjes, deri te trajtimi pas lindjes dhe kujdesi neonatal. Shërbimi siguron monitorim të vazhdueshëm të shtatzënisë, trajtim të patologjive obstetriko-gjinekologjike dhe asistencë profesionale gjatë lindjeve normale dhe operative. Së fundmi, është vënë në funksion pajisja e histeroskopisë, e cila është përfituar si grant nga Ambasada Japoneze. Kjo pajisje mundëson diagnostikim dhe trajtim minimal-invaziv të sëmundjeve të mitrës si polipet, fibroidet dhe aderencat uterine, duke rritur sigurinë dhe komoditetin e pacientëve, përshpejtuar rikuperimin dhe zvogëluar nevojën për ndërhyrje kirurgjikale tradicionale.
Klinika e Neonatologjisë ofron kujdes të specializuar për të porsalindurit, duke përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta shëndetësore, dhe garanton monitorim të vazhdueshëm dhe mbështetje për nënat gjatë periudhës pas lindjes.
Në vijim do të zbatohet edhe bashkëpunimi me Qeverinë Italiane për projektin neonatal “Materna”, që synon forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit neonatal në rajon.

Shërbimi i Patologjisë

Shërbimi i Patologjisë ofron konsulta specializuara në fusha si Nefrologji, Alergologji, Gastrohepatologji, Endokrinologji, Reumatologji, Hematologji dhe Dermatologji. Ky shërbim është kyç në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve komplekse kronike dhe akute. Me staf të specializuar dhe teknologji moderne diagnostikuese, shërbimi siguron një diagnostikim të saktë dhe trajtim të personalizuar, në bashkëpunim të ngushtë me departamentet klinike për një qasje multidisiplinare. Përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, shërbimi përmirëson cilësinë dhe kapacitetet profesionale, duke garantuar kujdes të mirë për pacientët.

Shërbimi i Pneumoftiziatrisë

Shërbimi i Pneumoftiziatrisë merret me diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e sëmundjeve të aparatit respirator, përfshirë tuberkulozin dhe patologji të ndryshme pulmonare si astma, BPOK, bronkiti kronik, pneumonia dhe fibrozë pulmonare. Ai ofron kujdes të specializuar me metoda diagnostikuese dhe terapi të avancuara, duke përfshirë një program monitorimi afatgjatë për ndjekje periodike dhe përshtatje trajtimesh. Shërbimi punon në bashkëpunim multidisiplinar me institucione të tjera shëndetësore për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve dhe për të parandaluar komplikacionet, duke përdorur teknologji dhe protokolle moderne mjekësore.

Shërbimi i Pediatrisë

Shërbimi i Pediatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër ofron kujdes shëndetësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët. Me një qasje të përkushtuar dhe profesionale, shërbimi synon diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve pediatrike, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe të përshtatshëm për fëmijët dhe familjet e tyre. Përveç trajtimit të problemeve shëndetësore të zakonshme, shërbimi disponon edhe Njësinë e Reanimacionit Pediatrik, e cila ofron kujdes intensiv për pacientët në gjendje kritike, duke garantuar trajtim të specializuar dhe të shpejtë në situata emergjente.
Një pjesë e rëndësishme e shërbimit është edhe NeuroPediatria, me mjekun e vetëm në rajonin e veriut që mbulon këtë fushë të specializuar, duke ofruar diagnostikim dhe trajtim për sëmundjet neurologjike të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shërbimi i Kardiologjisë

Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Rajonal Shkodër ofron kujdes të specializuar për diagnostikimin, trajtimin dhe monitorimin e sëmundjeve të sistemit kardiovaskular, duke përfshirë arteriet koronare, insuficiencën e zemrës, aritmitë, hipertensionin dhe sëmundjet e valvulave të zemrës. Me ndihmën e teknologjive moderne si EKG, ekokardiografia, teste stresi, monitorim Holter dhe koronarografi diagnostikuese dhe invazive, shërbimi garanton trajtim emergjent dhe të planifikuar për pacientët, si dhe monitorim afatgjatë për parandalimin e komplikacioneve. Kapacitetet e avancuara për ndërhyrje koronare invazive mundësojnë trajtime të specializuara pranë komunitetit lokal, duke zvogëluar nevojën për transport në spitale të tjera, ndërsa stafi mjekësor i trajnuar siguron kujdes cilësor dhe efektiv për çdo pacient.

Shërbimi i Neurologjisë

Shërbimi i Neurologjisë në Spitalin Rajonal Shkodër ofron diagnostikim, trajtim dhe monitorim të sëmundjeve të sistemit nervor qendror dhe periferik. Ky shërbim përfshin menaxhimin e një game të gjerë patologjish, duke përfshirë sëmundjet cerebrovaskulare si goditjet në tru (stroke), epilepsinë, sëmundjet neurodegjenerative, sëmundjet inflamatore dhe infektive të sistemit nervor, si dhe neuropatitë. Një nga trajtimet më të rëndësishme që ofrohet është tromboliza intravenoze, një procedurë emergjente që synon shpërbërjen e mpiksjes së gjakut në enët cerebrale gjatë goditjes ischemike (stroke ischemik), me qëllim rikthimin e qarkullimit dhe minimizimin e dëmtimeve neurologjike. Ky trajtim bëhet brenda një kohe të kufizuar nga momenti i shfaqjes së simptomave dhe kërkon kapacitete të specializuara dhe staf të trajnuar.

Shërbimi i Anestezisë – Reanimacionit

Shërbimi i Anestezisë – Reanimacionit ofron kujdes të specializuar për pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, procedurave diagnostikuese dhe trajtimit intensiv. Shërbimi siguron vlerësim para-anestezik, administrim të sigurt të anestezisë dhe monitorim të vazhdueshëm gjatë dhe pas ndërhyrjes.
Njësia e Reanimacionit kujdeset për pacientët në gjendje kritike, duke ofruar mbështetje të avancuar të funksioneve jetësore, trajtim intensiv dhe ndjekje të vazhdueshme nga staf i specializuar. Me pajisje moderne dhe protokolle të standardizuara, shërbimi garanton siguri maksimale dhe cilësi të lartë të kujdesit shëndetësor.

Shërbimi i Laboratorit

Laboratori Klinik Bio-Kimik funksionon në kuadër të partneritet publik-privat me “Laboratory Networks”, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh laboratorike me standarde bashkëkohore. Laboratori realizon rreth 160 lloje analizash dhe përfaqëson një pikë referimi për shërbimin laboratorik në të gjithë veriun e vendit.
Ai mbulon nevojat diagnostikuese të pacientëve ambulantë dhe spitalorë, si dhe ofron shërbim laboratorik për Qendrat Shëndetësore në territorin e bashkisë së Spitalit Rajonal Shkodër, IEVP Shkodër , struktura me shtretër të psikiatrikut, Spitalet Bashkiake të Qarkut që përfshijnë Malësinë e Madhe dhe Pukën.
Laboratori garanton rezultate të sakta, të besueshme dhe në kohë, duke mbështetur diagnostikimin dhe trajtimin efektiv të pacientëve.